Saturday, May 23, 2015

Nikoliq sheh rrezik në rajon nga shqiptarët

Kryetari i Serbisë Tomislav Nikoliq ka vlerësuar se sulmet e fundit “terroriste’ në rajon, siç i ka quajtur ai ngjarjet në Maqedoni, tregojnë e ideatorët e Shqipërisë së madhe nuk po pushojnë.

"Sulmet terroriste si dhe provokimet e paramenduara me rastin e ardhjes së delegacionit nga Tirana në Beograd, janë sinjal se gjithë rajoni është në rrezik. Mendoj se këtij problemi duhet t’i kundërvihen të gjitha vendet që kanë numër të konsiderueshëm shqiptarësh, të cilët janë parakusht për bashkimin e planifikuar territorial të shqiptarëve”, ka thënë Nikoliq për agjencinë italiane ANSA në prag të vizitës së kryetarit të Italisë në Serbi Sergio Mattarella, transmeton Koha.net.
Nikoliq ka shtuar se Serbia i është përkushtuar rrugës evropiane dhe se, sipas tij, ka bërë mjaft që të zbatohen dispozita të Marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Beogradit e Prishtinës.
"Megjithatë, pala shqiptare nga ana e vet nuk e ka bërë as shenjën më të vogël të vullnetit të mirë. Ne presim nga zyrtarë evropianë përpjekje shtesë që shqiptarët të përplotësojnë atë që kanë nënshkruar dhe që të normalizohet jeta e të gjithë qytetarëve që jetojnë në krahinë, pa marrë para sysh përkatësinë e tyre. Përndryshe, jeta e serbëve në Krahinë është jashtëzakonisht e vështirë dhe e komplikuar, atje për ta barazia dhe jeta në liri është larg realitetit", ka thënë Nikoliq.
Ai ka shtuar se Serbia i ka një borxh të madh KFOR-it italian që ka investuar shumë forcë për të shpëtuar popullatën dhe objektet e kultit serb nga rrënimi i tërësishëm.

42 mijë vullnetarë pastruan 86 deponi të mëdha

Iniciativa “Ta Pastrojmë Kosovën” ka publikuar rezultatet e aksionit për pastrimin e mbeturinave, i cili u zhvillua dje në tërë Kosovën.

Organizatorët janë ndarë të kënaqur me organizimin dhe zhvillimin e këtij aksioni, i cili përkundër reshjeve të kohëpaskohshme të shiut, është zhvilluar ashtu siç ishte planifikuar.
Luan Hasanaj, koordinator i Iniciativës “Ta pastrojmë Kosovën”, tha se dje është arritur të pastrohen 86 deponi të mëdha në tërë Kosovën, ndërkohë kanë qenë të evidentuara 300 deponi të egra. “Në një pjesë prej tyre po vazhdon edhe sot pastrimi dhe do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme”, tha Hasanaj, në një konferencë për gazetarë.
Sipas organizatorëve, në gjithë Kosovën kanë dalë më shumë se 42 600 vullnetarë. Në fokus të aksionit të sivjetmë ishte eliminimi i deponive me materiale ndërtimore inerte.

“Ne kemi evidentuar 42 642 vullnetarë. Por numri i vullnetarëve është i madh pasi edhe sot po na vijnë fotografi nga lokalitete të ndryshme të Kosovës, për të cilat ne as nuk e kemi ditur”, tha Hasanaj.
Ai ka falënderuar Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) për qasjen dhe mbështetjen që i kanë dhënë fushatës së pastrimit.
Në bashkëpunim me MMPH-në, më 5 qershor do të organizohet, një aksion për pastrimin e liqenit të Fierzës në Shqipëri, u njoftua me këtë rast.
Kostoja e aksioneve për këtë vit ka qenë 12 mijë euro, të cilat janë shpenzuar për blerjen e materialeve logjistike dhe disa shpenzime ditore të vullnetarëve. “Ndërsa kontributi që kanë dhënë kompanitë e ndryshme, vetëm në ditën e djeshme, nëse do të përkthehej në kosto financiare do të shkonte deri në 1 milion euro”, tha Hasanaj.
Mitrovica konsiderohet komuna ku aksionit i janë përgjigjur më së shumti vullnetarë - rreth 17 mijë. Ndërkaq, Prishtina është vlerësuar si komuna më e suksesshme në këtë aksion.
Fushata është mbështetur edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK). Kryetari Zekirja Shabani theksoi edhe një herë rëndësinë e raportimit për mjedisin, në veçanti që storjeve t’iu shkohet deri në fund, duke mbajtur përgjegjës ata që duhet të kujdesen për mbrojtjen e mjedisit jetësor.
Ai u shpreh se gazetarët e kanë pjesë të punës së përditshme të tyre "pastrimin". “Mundohemi ta pastrojmë Kosovën prej të këqijave si korrupsion e telasheve tjera që e ngulfasin ambientin ku jetojmë”.
Kurse, Lorik Muçaj, nga organizata "Green Art Center" ka treguar se në kuadër të aksionit për pastrimin e Kosovës, janë larguar nga hapësirat publike një numër i madh i mbeturinave të rrezikshme për jetën.
Sipas tij, një pjesë e këtyre hapësirave që deri dje shfrytëzoheshin si kontejnerë, tani mund të funksionalizohen dhe të vihen në shërbim të qytetarëve

PSG ofertë të jashtëzakonshme për Ronaldon

Paris Saint Germain nuk e kanë ndërmend të ndalen derisa të transferojnë në radhët e veta Cristiano Ronaldon.

Drejtuesit e klubit parisien janë duke përgatitur një ofertë të ‘çmendur’, në drejtim të Real Madridit për yllin portugez Cristiano Ronaldo.
E përditshmja spanjolle ‘Marca’, e cila është e afërt me klubin madrilen ka shkruar se PSG po përgatit 125 milionë euro që ta bind Real Madridin të lirohet nga Ronaldo.
Ronaldo gjithmonë është parë si lojtar kyç për Realin, por kur janë në pyetje 125 milionë euro për një 30-vjeçar atëherë mund t’i ndërrohet mendja Florentino Perezit.
Gjithashtu klubi parisien pritet t’i bëjë gati Ronaldos kontratë katër vjeçare me një pagë të përafërt që e fiton në Madrid

Beg Rizaj: Nuk kam lindur të plakem, por të kryej mision

Ish luftëtari i UÇK-së, Beg Rizaj-Begu, i vrarë në përleshjet me forcat në një postim në Facebook në vitin 2013 kishte shkruar se nuk ka lindur që të plakej, por të kryej mision dhe të ik. 

Ndryshe, Beg Rizaj ka qenë epror i Njësisë Speciale “Shqiponjat e Zeza” të UÇK-së të Zonës Operative të Dukagjinit, njëherësh një nga luftëtarët dhe eprorët më të dalluar të tri ushtrive çlirimtare,
Beg Rizaj, i vrarë nga policia maqedonase gjatë konfliktit të 9 dhe 10 majit në lagjen e Trimave në Kumanovë, do të varroset nesër në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan të Deçanit.