Iniciativa “Ta Pastrojmë Kosovën” ka publikuar rezultatet e aksionit për pastrimin e mbeturinave, i cili u zhvillua dje në tërë Kosovën.
Organizatorët janë ndarë të kënaqur me organizimin dhe zhvillimin e këtij aksioni, i cili përkundër reshjeve të kohëpaskohshme të shiut, është zhvilluar ashtu siç ishte planifikuar.
Luan Hasanaj, koordinator i Iniciativës “Ta pastrojmë Kosovën”, tha se dje është arritur të pastrohen 86 deponi të mëdha në tërë Kosovën, ndërkohë kanë qenë të evidentuara 300 deponi të egra. “Në një pjesë prej tyre po vazhdon edhe sot pastrimi dhe do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme”, tha Hasanaj, në një konferencë për gazetarë.
Sipas organizatorëve, në gjithë Kosovën kanë dalë më shumë se 42 600 vullnetarë. Në fokus të aksionit të sivjetmë ishte eliminimi i deponive me materiale ndërtimore inerte.
“Ne kemi evidentuar 42 642 vullnetarë. Por numri i vullnetarëve është i madh pasi edhe sot po na vijnë fotografi nga lokalitete të ndryshme të Kosovës, për të cilat ne as nuk e kemi ditur”, tha Hasanaj.
Ai ka falënderuar Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) për qasjen dhe mbështetjen që i kanë dhënë fushatës së pastrimit.
Në bashkëpunim me MMPH-në, më 5 qershor do të organizohet, një aksion për pastrimin e liqenit të Fierzës në Shqipëri, u njoftua me këtë rast.
Kostoja e aksioneve për këtë vit ka qenë 12 mijë euro, të cilat janë shpenzuar për blerjen e materialeve logjistike dhe disa shpenzime ditore të vullnetarëve. “Ndërsa kontributi që kanë dhënë kompanitë e ndryshme, vetëm në ditën e djeshme, nëse do të përkthehej në kosto financiare do të shkonte deri në 1 milion euro”, tha Hasanaj.
Mitrovica konsiderohet komuna ku aksionit i janë përgjigjur më së shumti vullnetarë - rreth 17 mijë. Ndërkaq, Prishtina është vlerësuar si komuna më e suksesshme në këtë aksion.
Fushata është mbështetur edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK). Kryetari Zekirja Shabani theksoi edhe një herë rëndësinë e raportimit për mjedisin, në veçanti që storjeve t’iu shkohet deri në fund, duke mbajtur përgjegjës ata që duhet të kujdesen për mbrojtjen e mjedisit jetësor.
Ai u shpreh se gazetarët e kanë pjesë të punës së përditshme të tyre "pastrimin". “Mundohemi ta pastrojmë Kosovën prej të këqijave si korrupsion e telasheve tjera që e ngulfasin ambientin ku jetojmë”.
Kurse, Lorik Muçaj, nga organizata "Green Art Center" ka treguar se në kuadër të aksionit për pastrimin e Kosovës, janë larguar nga hapësirat publike një numër i madh i mbeturinave të rrezikshme për jetën.
Sipas tij, një pjesë e këtyre hapësirave që deri dje shfrytëzoheshin si kontejnerë, tani mund të funksionalizohen dhe të vihen në shërbim të qytetarëve
No comments:
Post a Comment